Video
Falimenton Plus Communiction? Alarmohen abonentët
Falimenton Plus Communiction? Alarmohen abonentëtA. Shehaj
Lajme
Një ndër katër kompanitë që ofron shërbimin e telefonisë celulare në vendin tonë, "Plus Communication", dyshohet të jetë drejt falimentimit.
Të shumtë janë abonentët që kanë shprehur shqetësimet e tyre dhe kanë shkruar në redaksinë e JOQ.al, në lidhje me këtë problem. Praktikisht, në mbledhjen e datës 17.10.2017, "Plus Communication" ka vendosur dhe miratuar shitjen e spektrit të frekuencave pranë dy operatorëve të tjerë, përkatësisht kompanive "Vodafone sh.a" dhe "Telekom Albania sh.a.".
Rrjedhimisht, kjo situatë sjell krijimin e oligopoleve në treg, duke detyruar kështu që abonentët të kalojnë drejt operatorëve të tjerë.
Logjikisht, me shitjen e spektrit të frekuencave, vjen edhe largimi i shumë punonjësve nga puna, në rast se kompania shpall falimentin.
Pas marrjes së vendimin nga aksionerët e kompanisë, shitja e frekuencave pritet të aprovohet nga AKEP si dhe nga Autoriteti i Konkurrencës.
Kompania deri më tani nuk ka lajmëruar asnjë prej abonentëve të saj në lidhje me këto ndryshime të papritura si dhe nuk ka bërë me dije se çfarë do të ndodhë më tej me gjithë abonentët që i kanë besuar gjatë këtyre viteve.
Ndërkohë, përsërisim se nuk janë të paktë qytetarët që kanë shkruar pranë redaksisë së JOQ.al gjatë këtyre ditëve, në lidhje me këtë problem.
Siç mund ta shikoni edhe vet më poshtë në vendimin e kompanisë, në përfundim thuhet se pas marrjes së vendimit nga AKEP, kompania "Plus" autorizon Këshillin e Administrimit të marrë masat e nevojshme në lidhje me marrëdhëniet e punësimit. Por çfarë do të thotë kjo për punonjësit e "Plus"?
Le të shpresojmë se vetë kompania do të arrijë të sqarojë diçka në vijim…
JOQ.al