Video
Nga e hëna tek e diela, çdo ditë një stacion borxhesh dhe një prind që pendohet…
Nga e hëna tek e diela, çdo ditë një stacion borxhesh dhe një prind që pendohet…L. Çela
Slide-kryesor-1
Borxhe, borxhe, borxhe.
Ky është refreni i këngës lirike që këndojmë çdo ditë ne, shqiptarët modernë, të përlyer me njolla monotonie nga mëngjesi deri në darkë. Nuk e pëlqejmë befasinë, se kemi frikë nga ajo që na pret. As dhuratat nuk i pranojmë, se s'jemi për telenovela. Vetëm bukën…
Kështu ndodh kur xhepat shpohen gjithmonë e më shumë dhe ekziston mundësia që të mund të mos shërosh as nga një grip i lehtë nënën apo babën.
E hëna nis me një borxh që i merr shokut për të rregulluar motorin. Është i mbaruar, nuk vlen as 50 mijë lekë të vjetra, por të duhet për të shkuar në punë. Pasi i merr borxhin, duhet ta durosh sa herë të kërkon që t'ia kthesh. Ai e di që s'ke, edhe ti e di që s'ke, por prapë ia merr.
Të martën dëgjon historinë e një kushëriri në Tiranë, i cili po mendon si të kalojë tetë ditët e fundit të muajit. Ka vetëm katër mijë lekë të vjetra në xhep. Mendohet dhe i vë në skedinë, duke shpresuar që të fitojë aq sa për të shtyrë deri kur të marrë pagën në "Call Center".
Po, aty, me italianë, se punë tjetër më të sigurt nuk ka. Ne gjithmonë prej të huajve e kemi mbushur barkun. Tanët… nuk janë tanët. Tanët janë për veten e tyre. Dhe kështu, ai guxon krejt pak, duke provuar një koeficient 5, sa për ta pesëfishuar katër mijë lekëshin. E ka kot. Humb! Ai nuk mërzitet, se është mësuar. Gjithsesi, e ushqeu shpirtin me adrenalinë gjatë 90-minutëshit.
E gjuajti, s'e gjuajti. Kaq ishte! Gjuajtja e një ganezi të lë pa bukë.
Kalojmë tek e mërkura. Shkon në punë dhe roja të kërkon dy mijë lekë të vjetra. Ti e di se nuk do të t'i kthejë, se kështu ta bëri edhe muajin e kaluar. Imagjinoni: ai e pati marrë rrogën, por prapë nuk i dolën llogaritë. Sa e sa borxhe paskësh pasur, i shkreti!
Eh! Ai ka fëmijë, ti jo. S'po martohem, pra, mendon. Bën sikur ke harruar portofolin në shtëpi, se të vjen zor t'i thuash se s'ke para. Ia hodhe për pak.
Kështu kalon e mërkura. Nuk po vazhdojmë më tej. Ju lodheni duke lexuar, ne mërzitemi duke shkruar. Jo se na përtojnë gishtat. Ata të shkretë puthiten aq mirë me tastierën, saqë duhet të shpallim një bashkim familjar të merituar. Gjithë ditën atë punë bëjnë, se tastiera nuk do para.
Ajo punon edhe pa elektricitet. E shtyp dhe ndihesh… muzikant.
S'po zgjohemi fare të enjten, se nuk do të na e besoni borxhliun e radhës.
Hajt, po jua themi: janë prindërit! Aty je gati për të vrarë veten. Ata që të bënë kokën dhe i shihje si heronj, po treten dalëngadalë. S'kanë më para dhe, nëse deri para dy vitesh të thonin se emigracioni nuk është gjë, sot pendohen. Nuk ta thonë kurrë me ultimatum, por disa sinjale t'i japin.
Ik, bir, ik! Më plas zemra pa ty, por… ky vend ka vdekur".
/ JOQ.al
JOQ.al