Video
“Do kalbesh në burg”/ Biznesmeni trondit gjykatën, ndryshon dëshminë ndaj ish-drejtorit të Burgjeve
"Do kalbesh në burg"/ Biznesmeni trondit gjykatën, ndryshon dëshminë ndaj ish-drejtorit të BurgjeveA. Naçi
Lajme
Vijon gjyqi ndaj ish-drejtorit të Burgjeve, Artur Zoto. Dëshmitari i rradhës që ka dhënë dëshminë e tij ishte Ylber Kalaja, një prej tre biznesmenëve që dyshohet se kanë bashkëpunuar për të shkelur barazinë në tendera.
Mirëpo, ndryshe nga herët e tjera biznesmeni ka shokuar me deklaratën e tij para togave të zeza ditën e djeshme. Kalaja ka thënë në seancë se ai nuk i njeh as Iljaz Labin dhe as Artur Zoton. Madje, biznesmeni ka thënë se oficeri i Policisë Gjyqësore që e ka marrë në pyetje e ka shantazhuar, duke i thënë se do të kalbej në burg dhe se nuk do ta shihte më familjen e tij.
Ylber Kalaja e nis kështu dëshminë:
Jam akuzuar për korrupsion në burgje. Kam qenë administrator i një firme ushqimesh dhe punoja shpesh me burgjet. Kam marrë gjithnjë tendera konform ligjit”.
I pyetur nëse kishte lidhje miqësie me Iljaz Labin dhe Artur Zoton, biznesmeni Kalaja tha se nuk i njihte dhe as që i kishte takuar ndonjëherë të lartpërmendurit.
Duke mohuar takimin me Iljaz Labin për çështjen e 20 milionë lekëve të vjetër, Ylber Kalaja tha:
Nuk i kam njohur dhe nuk i kam takuar asnjëherë. Kam mësuar për ta vetëm përmes mediave”.
Biznesmeni ka pranuar se njeh Shemsi Sinanin, për të cilin ka pasur vetëm marrëdhënie pune. Edhe ky i fundit dyshohet se ka qenë i përfshirë në skemën e tenderave fiktivë në burgje, ku paracaktohej fituesi për ushqimet.
Mirëpo, Kalaja ka habitur me akuzat e tij ndaj Prokurorisë. Ai ka thënë se gjatë marrjes në pyetje nga organi i akuzës, është shantazhuar dhe se ka firmosur letra, të cilat nuk i ka parë, edhe pse në prani të një avokati.
Ylber Kalaja tha:
Më kanë bërë presione të jashtëzakonshme. Më kanë thënë se do kalbem në burg dhe se nuk do ta shoh më familjen time. Këto m’i ka bërë oficeri i Policisë Gjyqësore. Emrin e tij nuk e mbaj mend, por kam qenë me avokatin kur jam marrë në pyetje. Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë aferë”.
Dëshmia e tij është kundërshtuar nga mbrojtja, e cila ka thënë se rasti i Kalasë është për një çështje tjetër, që s’ka lidhje me atë të Zotos. Por prokurorja Elizabeta Imeraj ka kërkuar të vazhdojë marrja në pyetje e dëshmitarit, pasi akuzat e tij drejtuar organit hetimor ishin shumë të rënda.
Ylber Kalaja ka qenë një ndër tre biznesmenët e firmave të ushqimit, që është hetuar si i përfshirë në aferën korruptive të tenderave me ushqimet në burgje. Këta tre biznesmenë dyshohet se binin dakord për fituesit dhe i ndanin fitimet së bashku.
JOQ.al