Video
“Po të shkonte Zaho në shkollë, a do ta ndërtonte Rama një mbikalim për fëmijët këtu?”
"Po të shkonte Zaho në shkollë, a do ta ndërtonte Rama një mbikalim për fëmijët këtu?"S. Bardhi
Një situatë aspak e favorshme është krijuar për banorët dhe kryesisht e fëmijëve në zonën e njohur si Këneta në Durrës, ku 500 nxënës vënë jetën në rrezik për të shkuar në shkollë.
Segmenti i autostradës që kalon mes për mes kësaj zone nuk ka asnjë mbikalim. kështu shkruan media lokale “DurrësLajm”. Çdo ditë, dy herë në ditë, fëmijët nëpërmjet trafikndarëses kalojnë rrugën duke kaluar midis makinave që ecin me super shpejtësi. Drejtoresha e shkollës së re në ish-Kënetë, Pashke Marku, deklaroi se ndër tri arsyet kryesore të zbrasjes së shkollës nga fëmijët për këtë vit të ri arsimor është mungesa e mbikalimit në rrugë, i cili rrezikon fëmijët.
Rreth 200 nxënës më pak janë regjistruar për këtë vit shkollor, ndërsa rënia nisi që vitin e shkuar kur u hap rruga e nuk ka asnjë mbikalim për njerëzit.
Banorët ngrenë shqetësimin se ndihen të kërcënuar, por janë fëmijët ata që rrezikojnë më shumë, pasi automjetet lëvizin me shpejtësi skëterrë dhe në shumë raste aksidentet kanë rezultuar fatale. Kjo çështje ka bërë që një numër i madh familjesh të zonës së Kënetës të braktisin këtë shkollë, për t’i çuar fëmijët në shkolla të tjera.
SITUATA
Banorët e zonës së ish- Kënetës bëjnë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme, pasi çdo ditë rrezikohet një tragjedi e mundshme. “Fëmijët kalojnë në grup bashkë. Sikur një makinë që vjen me shpejtësi t’i përplasë, ndodh tragjedia. Shoferët këtu ecin me 140 në orë. Askush nuk i ndalon”, shprehen banorët e ish-Kënetës.
Një banor i zonës është shprehur:
Mungesa e sinjalistikës rrugore është kthyer në një problem shumë serioz për ne, pasi përballemi çdo ditë me rrezikun për jetën. Automjetet në këtë aks (Shkozet-Korpusi Universitar) lëvizin me shpejtësi marramendëse dhe në shumë raste janë bërë burim aksidentesh fatale. Ne na duhet të kalojmë disa herë në ditë nga njëri krah i rrugës në tjetrin dhe, në çdo rast, ndihemi të kërcënuar se mos na godet ndonjë automjet.”
E ndërsa një tjetër qytetar ka thënë:
Kemi kërkuar me dhjetëra herë të merren masa për të vendosur sinjalistikën dhe mbikalimet në këtë rrugë, por ankesat tona nuk janë marrë parasysh. Prej disa vitesh kjo rrugë ka përfunduar, por jo me parametrat e kërkuara, pasi duhej ishte vendosur sinjalistika dhe mbikalimet. Ne jemi detyruar të vendosim mbikalime të vegla, me konstrukt dërrase, pasi ndryshe ndihemi të izoluar dhe nuk kemi komunikim me pjesën tjetër të qytetit.”
Fëmijët e zonës së ish-Kënetës kalojnë të paktën dy herë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, pasi u duhet të shkojnë në shkollë. Në shumicën e rasteve, ata shoqërohen nga prindërit e tyre, për të kaluar në krahun tjetër të rrugës nëpërmjet mbikalimeve të vogla të improvizuara me dërrasë. Banorët shprehen se e kanë ngritur shpesh shqetësimin e tyre për mungesën e sinjalistikës dhe mbikalimeve, por ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.
Ndjekim apelin e drejtoreshës e të prindërve.