Connect with us

Gjeneratë bastardësh që ka për qëllim vetëm të fitojë para, cila është loja?

Video

Gjeneratë bastardësh që ka për qëllim vetëm të fitojë para, cila është loja?

Gjeneratë bastardësh që ka për qëllim vetëm të fitojë para, cila është loja?S. Bardhi

Kuriozitete

Të shkruash nuk është aspak një proces i thjeshtë e aq më tepër kur i premton vetes që nuk do shkruash kurrë për njerëz por veç për fenomene, përgjegjësia shumëfishohet.

E megjithatë, nëse ndryshimin që aq shumë kërkojmë nuk e nis nga vetja atëherë është e kotë ndaj nuk mundesh kurrsesi të heshtësh kur jeta të ndodh para syve.

Po të ndodh..qoftë ky fillimi i fundit apo fundi i fillimit, oqean pyetjesh e currila përgjigjesh ose pothuajse të tillash. Ose ndodh të përhumbesh në jetën që vazhdon të ndodhë e të përplas mes mijëra realitetesh. Dhe pas çdo “ndodh” kupton se je shndërruar në një lojtar pokeri të zotë me mendjen, shpirtin, eksperiencën pokeriane.

Mendoj se dhe vetë jeta është si një lojë pokeri, por a duhet ta jetosh si një të tillë? A ia vlen? Çdo ditë e më shumë sheh dhe takon lojtarë strategjikë me ego të uritur, cinizëm të theksuar e miqësisht të shtirur aq më shumë ndodh të bindesh se jeton në një lojë pokeri dhe duhet të ndjekësh ca rregulla, rregullat e arta.

Pyes veten sa parime, te vërteta, emocione, ndjesi, kompeticion, humbje,vlerësim, nënvlerësim, intriga, luftë, perspektivë, fshehtësi, duar të mira,tru, djaj, miq, mbart një lojë pokeri? Megjithatë qëllimi mbetet një dhe i vetëm : fitimi i parave

Paradoksalisht marrëveshja e vetme nëse luan me miq është të fitosh paratë e njëri-tjetrit, lëvizje që mund të rezultojë fatale.

A mundet vallë pas një loje të mirë të jesh po aq mik i mirë sa ç’ishe kur hyre nga ajo derë? Ja që ndodh të përdoresh si karrem dhe viktimë e bindjeve të tua. Një lojë mes ca të panjohurish që ndoshta nuk do i takosh më kurrë si një nga ato eventet në jetë ku takon ca njerëz miq të një dite e ditën tjetër jeni sërish thjesht ca të panjohur që ndoshta do i ndeshësh në rrugë e do të kthejnë shpinën..ose ..ose një loje cinike të njohurish porsi ato takimet kur .. kur ai të fton dhe 45 minuta pa pushim tregon sa djalë i babit është e sa biznese ka babi i vetë, ndodh që ajo të fton, sepse i duhet të bëjë check-in-in e radhës.

Ndodh që ai të fton dhe plot mburrje thotë arsyen e ftesës se “ ti je ndryshe “ e nuk di saktësisht të gëzohesh a dëshpërohesh, pasi ka shkrepur 1000 foto dhe ndenjur ¾ e orës mbi celular dhe 2/4 e ҁerek orëshit të fundit duke menduar çfarë përshkrimi t’u vërë fotove të thotë se u bë vonë dhe duhet të ikë, ndodh që loja të ta shpifë ende pa nisur sikundër ato pasditet rreth një tavoline me ca njerëz që bëjnë sikur dhe e kupton që do kishe qenë më mirë pasditja në shtëpi duke këqyrur artin Freudian.

Ndodh që ajo të ndërrojë strategji sepse ndoshta ka dëgjuar që mikun duhet ta mbash pranë, por armikun edhe më pranë, ndodh që ai me të cilin vërtet do doje të luaje një lojë për dreq ndodhet në tavolinën përballë dhe gjithçka ndodh mbetet mes një “ҁkemi –lamtumirë” e kështu mes një loje se duhet e asgjëje që do, duhet t’i bindesh rregullave, fshehësh ҁdo ndjesi dhe të fitosh mbi të gjitha ndaj vetes sepse kundërshtari më i fortë që mund te kesh është vetja.

Ndodh që rëndom dëgjon nënën e cila pyet djalin 9-vjeҁar rrugës për në shkollë: Po Drini përse mori dhjetë e ti jo? Ç’ka Drini më shumë se ty?

Ky është problemi. Kjo është keqardhje, kështu (ҁ)edukohen e nisin të marrin jetë krijesat e kësaj gjenerate, gjeneratë bastardësh. E kështu lindin lojtarët e pokerit. Kështu nis loja. Një lojë që në fund mund të të lërë me mijëra ndjesi e njëkohësisht asnjë.

Ndodh që loja të lë të ndihesh sikur shkon diku për të mbushur boshllëkun dhe vetëm sa i rikujton vetes sa vetëm ndihesh e kthehesh më bosh se kurrë, të lë të ndihesh si dikush që udhëton 3000 milje veç për të parë dikë dhe ai nuk vjen, sikur ndodh që të shohësh botën e zemrën të të thyhen në më pak se një milisekond para syve e nuk mund të bësh asgjë.

Të vraposh apo të fshihesh? Te lë të ndihesh si ai që të premtoi se do vinte në përvjetor, por ti e prite e nuk u shfaq se harroi, si ai që të lë vetëm në aeroport ne tre e gjysmë të mëngjesit duke të lënë të kuptosh se ti nuk vlen as edhe një lamtumirë.

Bastardë pokerianë që do doje t’u ulërije, të reagoje, t’u bërtisje por tashmë ti je një lojtar i mirë e di që rregulli numër një nuk thyhet kurrë : Kështu që përpara, pa asnjë emocion!

Pse dreqin është kaq e vështirë sot të mos luash asnjë lojë, por thjesht te shijosh çdo moment ,çdo frymim në një ditë që më nuk vjen, në të vetmen jetë ku asgjë është përgjithnjë e gjithçka mbart emrin pasiguri.

E megjithatë diçka është e sigurt, se për të fituar në këtë gjeneratë bastardësh, s’të mbetet gjë tjetër veç të jesh shumëfish më bastard dhe t’u kujtosh se po luajnë me bastardin e gabuar./Gerta Kapllani

JOQ.al

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Video

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top