Video
Bashkia e Librazhdit/ Vjet tender për prerje pyjesh, sivjet për mbjellje në të njëjtin vend
Bashkia e Librazhdit/ Vjet tender për prerje pyjesh, sivjet për mbjellje në të njëjtin vendS. Bardhi
Lajme
Çdo ditë në rrugët e Shqipërisë shihen kamionë me dru të sapo prerë që enden pa probleme nga shteti dhe ndër vendet që spikat për këtë është Librazhdi.
Pikërisht për këtë vend, “Të Pa Ekspozuarit” sjell disa dokumente në të cilat shihet qartë se si vitin e kaluar është dhënë tender për prerjen e pyjeve, ndërsa këtë vit për mbjelljen e tyre po në të njëjtin territor që janë prerë dhe si më poshtë shkruhet.
Duke përdorur pushtetin që u kanë dhënë qytetarët, zyrtarë të shumtë vijojnë të shpërdorojnë paratë publike pa asnjë kriter. E tillë është Bashkia e Librazhdit, me në krye Kastriot Gurrën, i zgjedhur nga radhët e socialistëve, në vitin 2015.
Ky institucion lokal është përfshirë sëfundmi nga një skandal për mbjellje dhe prerje pyjesh. Për vite me radhë, pyjet në këtë rreth janë masakruar, dhe përpos moratoriumit të vendosur, bashkia e këtij qyteti ka kërkuar që të priten disa ekonomi pyjore.
Tpz.al ka siguruar disa informacione, sipas të cilave, kryetari i Bashkisë, Kastriot Gurra, akordoi vitin e kaluar plot 90 milionë lekë për të prerë pyje në vendin e quajtur Dardhë-Xhyrë. Ndërkohë, pak ditë më parë, i njëjti kryetar, pra, Kastriot Gurra, ka akorduar 34 milionë lekë që të mbillen pemë, në zonën pyjore Dardhë-Xhyrë. Pra, i njëjti kryetar vendos që të priten dhe ai vendos që të mbillen, në të njëjtin vend.
Sipas dokumenteve vitin e kaluar Bashkia e Librazhdit vendosi tenderojë prerjen e pyjeve rigjeneruese në fshatrat Dardhë-Xhyrë. Tenderi kishte një vlerë të përgjithshme plot 90 milionë lekë të vjetra, ndërsa problemi i të gjithë shpalljeve të ankandeve, qëndron në faktin që shfaqin mangësi në saktësimin e kritereve fillestare, duke ngritur dyshime të forta se fituesit janë të paracaktuar.
Gurra, i njohur edhe për lidhjet e tij të afërta me deputetin socialist, Taulant Balla, ka qenë në qendër të akuzave disa herë nga opozita, lidhur tenderat e Bashkisë së Librazhdit.
Janë siguruar gjithashtu edhe dokumentet e tenderi më të fundit, ku thuhet se Bashkia e Librazhdit ka hapur një procedurë “Investime në pyje” me fond limit 3 415 565 lekë. Kohëzgjatja e kontratës për ekzekutimin është 8 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës, ndërsa tenderi do të zhvillohet më datë 23 tetor.
Në dokumente thuhet se operatori, për realizimin e shërbimit duhet të ketë paraprakisht në konsideratë të dhënat në lidhje me përdorimin e territorit, për ekonominë pyjore “Dardhë-Xhyrë”. Në këtë vend do të gjenerohen, sipas tenderit, 3787 hektarë, pyll, trungishte, cungishte, shkurre, kullotë, djerr dhe inproduktive.
JOQ.al