Connect with us

Analiza/ Pse Rama po mbyll sytë ndaj ish-ministrit të tij, kur vetëm ai e di të vërtetën

Video

Analiza/ Pse Rama po mbyll sytë ndaj ish-ministrit të tij, kur vetëm ai e di të vërtetën

Analiza/ Pse Rama po mbyll sytë ndaj ish-ministrit të tij, kur vetëm ai e di të vërtetënS. Bardhi

Lajme

Informacionet e publikuara nga përgjimet e bëra prej Policisë italiane pas arrestimit të Moisi Habilajt kanë shkaktuar një tronditje të madhe në opinionin publik shqiptar, edhe pse në vetvete nuk ka asnjë arsye të habitemi nga ato informacione.

Nuk ka kuptim që njerëzit të prisnin informacione nga përgjimet e personave të survejuar nga policia për t’i drejtuar gishtin akuzues ish-ministrit të Rendit, Saimir Tahiri, ndërkohë që prej një viti të gjithë e dinë (dhe e kanë parë me sytë e tyre Shqipërinë të mbushur me kanabis). Ishte dhe është më se e qartë se Shqipëria nuk mund të shndërrohej në një plantacion bimësh narkotike pa bashkëpunimin e kultivuesve të këtyre bimëve me Policinë e Shtetit.

Dhe do të ishe budalla të mendoje se një gjë e tillë ka ndodhur vetëm për syleshësinë e policëve të mjerë që operonin në terren. Polici nuk reagonte se nuk e linte shefi lokal i rendit, shefi lokal i rendit nuk reagonte se nuk e linte një tjetër shef i madh në ministri, shefi i madh nuk reagonte se nuk e linte ministri, ministri nuk reagonte se nuk e linte Kryeministri dhe këtu mbyllet qarku i një aktiviteti kriminal që e ka shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Europës.

Këtë e kanë parë të gjithë dhe ka qenë aq e dukshme, aq e shtrirë në kohë dhe në territor, me përfshirjen aq të dukshme të shtetit, sa duhej të ishe ose idiot, ose i poshtër të mos e kishe vënë re.

Nëse dikush ende nuk e ka kuptuar, le të shikojë me hollësi këtë ngjarje, jo për informacionet që ajo na ofron, po për simbolikën e saj: një oficer shqiptar i Antitrafikut që denoncoi këtë aktivitet kriminal dhe përfshirjen e shtetit në të, gjendet ende në azil politik në Zvicër, sepse kërkohej për t’u arrestuar nga Policia shqiptare e Tahirit, ndërkohë që personi të cilin ai e ka denoncuar dhe që u kap në Itali nuk ishte në kërkim dhe u kap vetëm nga Policia italiane.

Kështu, që mos na habisni me habinë, mos na trondisni me tronditjen, mos na bëni të shkulim leshrat e kokës nga tërbimi kur irritohemi. Ajo që është e re në gjithë këtë histori është qëndrimi që palët po mbajnë rreth kësaj çështjeje.

Dhe më e habitshmja e të gjitha gjërave të prodhuara gjatë këtyre ditë të mbarsura me të reja, është deklarata e zotit Rama, bërë sot pas publikimit të përgjimeve që e komprometonin rëndë ministrin e tij, Tahiri. Në deklaratën e tij, ai pohonte se ishte i etur të mësonte të vërtetën për implikimin e ish-ministrit të tij në këtë aferë.

Të paktën dy gjëra bien në sy në këtë deklaratë. E para se ai është gati ta braktisë menjëherë ministrin e tij, duke i larë duart nga përgjegjësia, a thua se ka qenë ai vartës i zotit Tahiri dhe jo e kundërta, a thua se nuk ka pasur as shërbime informative që ta informojnë, as sinjale nga shërbimet e huaja, as media, as institucione që ta marrë vesh se ç’po ndodhte në vendin që qeveriste. Është në stilin e tij, nëse ju kujtohet ndonjë nga deklaratat e bëra qyshse ka fituar zgjedhjet.

Nuk di asgjë për problemet që ka patur mjekësia e Beqës, nuk di asgjë për mosfunksionimin e administratës publike, nuk dinte asgjë po të mos dilte nja dy muaj gju më gju me popullin që të merrte vesh se asgjë nuk funksiononte në shtetin e tij.

Gjëja e dytë që të bie në sy është se, si përherë, duke dashur t’u hedhë trutë e gomarit njerëzve, po kërkon që këtë situatë, ndër më të rëndat e qeverisë së tij, ta shndërrojë në një llokume për propagandën e tij bajate.

Domethënë, duke bërë kokë turku Tahirin, pasi fati i tij tashmë varet nga gjykatat e një vendi të cilat Rama nuk mund t’i manipulojë duke i detyruar të heshtin, ai po kërkon ta kthejë këtë rast si një shenjë të suksesit të tij të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe zyrtarëve të lartë të implikuar me të.

Gjë e trashë për t’u gëlltitur, por meqë publiku shqiptar ka gëlltitur gjëra më të trasha të servirura prej propagandës së tij, nuk është çudi që të gëlltisë një tjetër më shumë. Pikërisht kjo nuk duhet të ndodhë dhe më në fund gishti duhet vënë pikërisht mbi fajtorin kryesor për kriminalizimin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Është ai që kriminalizoi Parlamentin, është ai që kriminalizoi pushtetin lokal, është ai që kriminalizoi Policinë e Shtetit.

E vërteta që kërkon Rama nga hetimet që do të bëhen për Tahirin gjenden te vetë Rama. Të tjerët janë thjesht marioneta në dorën e tij. Në këtë kuptim, e vetmja e vërtetë që mbetet për t’u zbuluar para shqiptarëve nga ngjarjet që do të pasojnë është kjo: e kontrollon Rama krimin e organizuar apo krimi i organizuar Ramën? Të tjerat dihen!/Nga Mark Marku.

JOQ.al

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Video

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top