Kuriozitete
Basha në Lushnje: Ja pse duhet të na votoni!
Lulzim Basha u tha qytetarëve gjatë mitingut mbyllës në Lushnje, se çfarë janë zgjedhjet e ditës së dielë dhe kush është alternativa që duhet të zgjedhin shqiptarët. Duke bërë krahasimin mes dy ofertave, Basha tregoi pse shqiptarët, sipas tij, ditën e dielë duhet të zgjedhin numrin 6.
“Të dielën, me 25 Qershor, zgjedhja do të jetë e qartë. Të dielën vendosim nëse do të kemi një ekonomi të fortë apo jo. Të dielën vendosim nëse do ti ulim taksat apo do të vazhdojmë me taksa të larta. Të dielën vendosim nëse do ta anulojmë taksën Rama mbi karburantin plot 240 lekë për letër, apo të vazhdojmë të kemi naftën më të shtrenjtë në Europë. Të dielën do të vendosim nëse paratë e taksave të shqiptarëve do të vazhdojnë të bëhen fasada, palma, rrush e kumbulla, apo do ti bëjmë pensione për pensionistët tanë, shkolla me orar europian dhe drekë të paguar për fëmijët tanë dhe investime që nxisin punësimin. Kjo është zgjedhja që bëhet ditën e dielë; ekonomi e fortë, me taksa të ulëta, me stazhe për studentët dhe subvencione për fermerët”, tha Lulzim Basha.
Kryetari i opozitës u shpreh se Edi Rama nuk mbajti asnjë premtim për 4 vite dhe zgjodhi prioritete të tjera, të kundërta me interesin e qytetarëve.
“Edi Rama nuk i mbajti premtimet. Edi Rama nuk kishte prioritet ekonominë. Edi Rama nuk ka plan ndaj dhe ka frikë të përballet. Ka frikë nga debate dhe shkon e fshihet. Hedh gurin e fsheh dorën. Përballjen me mua e ka shmangur sepse nuk ka plan. Nuk ka plan për gjendjen e vendit. I vetmi plan për ta nxjerrë ekonominë nga kriza për të krijuar vende pune për ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurtë, është numri 6. Edi Rama pati 4 vite kohë dhe nuk mori asnjë vendim në favor të familjeve tuaja, të fëmijëve tuaj, të prindërve tuaj. Çdo vendim e mori vetëm për veten e tij dhe çetën që e rrethon. A nuk premtoi nga ky shesh 4 vite më parë taksa të ulëta për 97% të shqiptarëve?! Vjen me të njëjtat premtime që nuk i mbajti para shqiptarëve. Dëgjoni çfarë thotë sot nga Lushnja. Pastruesja e kryeminsitrisë nuk mund të paguajë njësoj taksa si kryeministri. E njëjta gjë që ka thënë para 4 vitesh. Nesër me Republikën e Re çdokush me rrogën nën 320 mijë lekë, paguan 0 tatim mbi pagat. Edi Rama mësoje nëse nuk e di”, tha Basha.
Kreu i demokratëve tha se me Republikën e Re timoni dhe pushteti njëherë e mirë do të jenë në duart e qytetarëve dhe kryeministri i ardhshëm që do të dalë me votën e bashkuar të shqiptarëve.
“Dhe këtë do ta bëjmë me planin tonë ekonomik, me të vetmin plan pa premtime boshe por me modelin që funksionon në lokomotivën e Europës, në Gjermaninë e Kancelares Angela Merkel që dërdoi ekspertët e saj pranë meje dhe pranë PD-së. Do të nisim me taksat e ulta. Ulja e TVSh-së, hapi i parë që do të ndërmarr do të kthejë 400 milionë euro në xhepat e konsumatorëve shqiptarë”, u shpreh Basha.
Kryetari i opozitës iu përgjigj po ashtu komenteve të Ramës për drejtësinë.
“T’i thotë dikush Edi Ramës që Reformën në Drejtësi e kemi votuar vitin e kaluar. T’i thotë dikush Edi Ramës që vetingun e votuam dje dhe asgjë nuk do ta ndalë Reformën në Drejtësi. Asgjë nuk do ta ndalë forcimin e institucioneve shtetërore në shërbim të qytetarëve dhe jo në kontrollin e politikanëve”, tha ai. /TCH