Video
Edhe futbolli si politika, presidentët hidhen në sulm për të pushtuar mediet
Edhe futbolli si politika, presidentët hidhen në sulm për të pushtuar medietL. Çela
Sport
Ky vit padiskutim që do të mbahet mend si viti kur nisi “lufta” e presidentëve të klubeve tona të futbollit për të shtuar ndikimin e tyre në medie. Meqë në shkurtin ose marsin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet për Presidentin e FSHF-së, futbolli shqiptar jashtë fushave të lojës po kopjon politikën.
Dikush për “qokë” ndaj një më të forti, dikush për të mbrojtur veten dhe dikush për t’u hedhur hi syve të tifozëve, secili mendon për të pasur një “armë” për ta përdorur pa u marrë vesh se kush e tërheq këmbëzën.
Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka medie të fuqishme në krahun e tij, si “Panorama Sport” dhe “Tema”, por tashmë edhe një portal "personal", i hapur nga fundi i muajt gusht, i cili ka praktikisht çdo lajm të fundit nga “Demat e kuq”. Synimi kryesor i këtij portali, të cilit nuk po ia përmendim emrin, është "lufta" kundër Armand Dukës për ta rrëzuar nga pushteti.
Duke nuhatur gjendjen, edhe presidenti i Kukësit, Safet Gjici, po merr masat. Ai përflitet se së fundmi është interesuar për të blerë një gazetë. Vjet skuadra verilindore u shpall kampione e Shqipërisë me shumë polemika dhe dyshime, kështu që këtë sezon ai synon të ketë një mënyrë për t’u kundërpërgjigjur. Nëse nuk blen gazetën e lartpërmendur, Gjici duket se është gati për të hapur një medie të re sportive.
Kalojmë te Tirana, aty ku Refik Halili aktualisht ndihmohet nga një portal pranë klubit bardheblu. Ky portal ka shumë lajme, kryesisht nga kampionati vendës. Nëse doni informacionin e parë nga bardheblutë, sidomos në favor të tyre, klikojeni dhe do ta gjeni! Jemi të sigurt se e dini për cilin po flasim.
Kjo “luftë” e presidentëve nuk është shpikje shqiptare. Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, financon disa medie sportive në Spanjë, për shembull. Kjo ka ndodhur në shumë vende prej vitesh dhe, ashtu si moda, teknologjia apo fjalët e huaja, po ndodh me vonesë edhe tek ne.
Nëse në fillimin e mijëvjeçarit të ri lindi modeli "një pallat, një gazetë", me pronarë gazetash të cilët vilnin fonde apo gjoba duke paralajmëruar skandale politike dhe jo vetëm, tani edhe futbolli po i kalon "ndeshjet derbi" në lojën mediatike. /JOQ.al
JOQ.al