Video
Gjykata e Katanias lë në burg Moisi Habilajn dhe shokët e tij
Gjykata e Katanias lë në burg Moisi Habilajn dhe shokët e tijG. Hasani
Lajme
Ndjekja e hetimeve mbi trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali mbetet ende në prapavijë. Në mesin e tyre është edhe kreu i bandës Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ky i fundit është nën hetim nga ana e prokurorisë së Tiranës, shkruan Meridionews.it.
Të arrestuarit e dosjes "Habilaj" janë lënë në burg nga Gjykata e Katanias. Vendimi për arrest me burg është marrë ditën e sotme pas 48 orëve të dëgjimit të pretendimeve të gjashtë të arrestuarve të të ashtuquajturës “Dosja Habilaj” mes tyre dhe Moisi Habilajn.
Vendimi është depozituar rreth mesditës në sekretarinë e Gjykatës së Katanias nga tre gjyqtarët Iarato, Benanti dhe Catena. Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë dhe italianë do qëndrojnë në burg deri në përfundim të procesit penal ndaj tyre.
Provat e paraqitura nga Prokuroria e Katanias, lidhur me përfshirjen e këtij grupi në trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kanë qenë bindëse për gjyqtarët, të cilët e refuzuan rekursin e paraqitur prej tyre, duke konfirmuar arrestin në burg.
Të martën, Moisi Habilaj dhe 5 nga bashkëpunëtorët e tij, të arrestuar tashmë, u paraqiten përpara gjykatës, ku nuk hezituan të mohonin akuzat dhe të kërkonin lirimin e tyre. Kërkesë kjo e konfirmuar nga avokati i Moisi Habilajt për Top Channel, sipas të cilit, akuza është sipërfaqësore.
Tashmë të arrestuarit do të vijojnë të qëndrojnë në qeli, ndërsa nga ana tjetër Prokuroria e Katanias do të nisë përgatitjen e dosjes për dërgimin për gjykim të 12 pjesëtarëve të këtij grupi të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij janë ndjekur e përgjuar për katër vite, ndërsa janë kapur 3.5 tonë hashash që ata trafikuan drejt Italisë.
Dosja “Habilaj” prej disa kohësh është pjesë e debatit politik në Shqipëri ku u hap dhe çështja “Tahiri”, pasi prokuroria shqiptare kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm dhe arrestimin e tij. Kjo pasi emri i tij përmendet nga banda e Habiljave në përgjigjet e prokurorisë italiane.
JOQ.al