Video
Këta janë ekzekutorët e dy të rinjve që trafikonin drogë, rivali i Aldo Bares vrau “Iriqin” e bandës së Lushnjes
Këta janë ekzekutorët e dy të rinjve që trafikonin drogë, rivali i Aldo Bares vrau "Iriqin" e bandës së LushnjesF. Tenolli
Lajme
Ditën e djeshme Lushnja u trondit nga një atentat në mes të qytetit ku mbetën të vdekur dy të rinj dhe u plagosën dy persona të tjerë.
Viktima nga atentati mbetën 22-vjeçari Jurgen Hoxha dhe 23-vjeçari Zamir Latifi, ndërkohë që u plagosë rëndë miku i tyre Marjus Xhepexhiu 26 vjeç.
I plagosur lehtë ka mbetur gjithashtu Bujar Turku 66 vjeç, i cili po kalonte rastësisht me biçikletë në momentin kur u shti me armë zjarri.
Kush janë ekzekutorët e atentatit të djeshëm në Lushnje
Autorët e dyshuar të atentatit të djeshëm të ndodhur në qytetin e Lushnjës janë Laert Haxhiu 25 vjeç dhe Orges Bilbili.
Sipas informacioneve paraprake dyshohet se ngjarja e djeshme lidhet me ngjarjen e datës 25.09.2016 të ndodhur në qytetin e Lushnjes ku është tentuar të vriten me armë zjarri 2 persona.
25-vjeçari nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai cilësohet si një nga anëtarët e bandës rivale të Aldo Bares.
Ai kishte 8 muaj që kishte dalë nga burgu për vrasjen e Gerti Salës (anëtar i bandës së Lushnjes me kryetar Baren) i njohur me nofkën “Iriqi” dhe më pas u arrestua sërish në vitin 2015 për trafik droge.
Ndërtimi i skenës së ngjarjes
Ditën e djeshme rreth orës 14:20 të drekës, në vendin e quajtur “Urra e Përroit”, është shtirë me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar drejt disa të rinjve. Atentati ka ndodhur vetëm pak metra larg komisariatit të policisë Lushnje.
Arma e përdorur në këtë atentat është kallashnikov dhe mendohet se shënjestra të atentatit kanë qenë dy viktimat.
Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha kanë qenë të ulur në një bar-kafe në pronësi të Marjus Xhepexhiut, me vendndodhje në lagjen "Loni Dhamo" në Lushnje.
Janë dy versionet e kryerjes së ekzekutimit
I pari është se atentatorët kanë shtirë nga një automjet në lëvizje drejt shënjestrave me breshëri kallashnikovi. Mendohet se plumbat kanë ardhur nga të paktën dy persona në sediljen e pasme të pasagjerit.
I dyti, sipas disa dëshmitarëve të ngjarjes është se një person i maskuar ka zbritur nga automjeti me një kallashnikov në duar dhe pasi ka ecur 20 metra ka hapur zjarr ndaj Jurgen Hoxhës dhe shokut të tij Zamir Latifi.
Gjendet i djegur automjeti i atentatorëve
Pak minuta pas ngjarjes, përgjatë aksit rrugor Lushnje-Berat, pranë fshatit Çukaj u gjet i djegur automjeti i atentatorëve.
Policia gjeti në brendësi të automjetit tre armë zjarri kallashnikov, të cilat dyshohet se janë përdorur në atentatin e djeshëm në Lushnje.
Pistat e hetimeve
Pista e parë, pazaret e drogës
Një vit më parë ndaj viktimës së djeshme Zamir Latifit, Xhuljo Shkurtit (djali i motrës së Aldo Bares) dhe mikut të tyre Sajmo Xhelilit iu është bërë atentat me breshëri automatiku.
Në këtë atentat mbeti i plagosur në këmbë Xhuljo Shkurti dhe Sajmo Xhelili.
Sajmo Xhelili dhe Xhuljo Shkurti kanë lidhje familjare mes tyre dhe një nga pistat ku po hetohet është trafiku i drogës në Belgjikë dhe Holandë.
Jurgen Hoxha një prej viktimave të mbrëmshme jetonte me periudha herë në Lushnje e herë në Holandë. Miku i tij viktima tjetër e atentatit Zamir Latifi jetonte me periudha të ndryshme në Itali dhe dy të rinjtë kishin vetëm disa ditë që kishin ardhur në Lushnje.
Pista e dytë, hakmarrja
Burime nga grupi i hetimit konfirmuan mbrëmë se ngjarja dyshohet të ketë motiv hakmarrjen, duke mos përjashtuar edhe një rizgjim të bandave të Lushnjës që i kanë nisur hakmarrjet që prej më shumë se 20 vitesh.
JOQ.al