Video
Mielli serb nxjerr nga tregu kompanitë shqiptare, buka jashtë standardit
Mielli serb nxjerr nga tregu kompanitë shqiptare, buka jashtë standarditS. Bardhi
Lajme
Fabrikat e blojës panë rënie dyshifroreve të xhirove vjetore më 2016, si pasojë e konkurrencës së importeve të miellit nga Serbia e Kosova. Industrialistët lajmërojnë zhvendosje në sektorë të tjerë, teksa kanë shkurtuar 30% të punonjësve dhe janë kthyer në kredimarrës të këqij.
Fabrikat po punojnë me një tretën e kapaciteteve, ndërsa pasojat negative janë shtrirë në të gjithë zinxhirin. Administratorët e fabrikave të mëdha në vend japin alarmin SOS. Ja rekomandimet për daljen nga situata. A po cenohet siguria e konsumatorëve? Si po rriten sërish importet e miellit, pasi ranë ndjeshëm pas viteve 2000, si rrjedhojë e zhvillimit të industrisë vendase.
Alarmi që industria e blojës dha një vit më parë se importi i miellit serb nga Kosova po cenon rëndë sigurinë ushqimore dhe po dëmton në mënyrë të padrejtë bizneset e tyre duket se është bërë realitet, i konfirmuar tashmë nga sipërmarrësit e sektorit dhe shifrat zyrtare të bilanceve dhe doganave. Ambienti i vështirë i biznesit nga taksat dhe çmimi i lartë i energjisë ka marrë goditjen finale nga një marifet i importeve nga Kosova, ku mielli i biskotave pa proteinë po hyn si miell buke me çmim më të lirë. Prej këtij fenomeni, fabrikat më të mëdha të prodhimit të miellit në vend kanë pësuar rënie dyshifrore të xhirove në vitin 2016 dhe punojnë me gjysmën e kapacitetit të instaluar. Të dhënat e doganës për 2016-n konfirmojnë një rënie të importeve të grurit (që përdoret si lëndë e parë nga industria vendase përpunuese) dhe rritje të importeve të miellit të gatshëm, teksa çmimi për kg i miellit që hyn në Shqipëri nga Serbia ka rënë ndjeshëm dhe është dukshëm më i ulët se ai që hyn nga shtetet e tjera si Greqia, apo Italia.
Administratorët e sipërmarrjeve përpunuese shqiptare lajmërojnë se situata është përkeqësuar edhe më tej në 2017-n. Shoqata e industrisë së Përpunimit të Miellit raportoi se së paku 50 linja të përpunimit në vend kanë mbyllur aktivitetin gjatë dy viteve të fundit dhe situata po vështirësohet për operatorët e mëdhenj. Punësimi në sektor është reduktuar ndjeshëm, teksa i gjithë zinxhiri i lidhur me këtë industri është vënë në vështirësi për shlyerjen e kredive. Nga ana tjetër, konsumatorët janë tërësisht të ekspozuar nga mungesa e thellë e standardit. Mielli serb me standard proteine 9% nuk mund të bëhet bukë pa ndihmën e disa aditivëve që janë të rrezikshëm për shëndetin. Duke shpjeguar këtë situatë, Adi Haxhiymeri, kryetar i Shoqatës së industrisë Përpunuese të Miellit, tha se nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn deri në fund të vitit për të ndaluar konkurrencën e pandershme, situata do të përkeqësohet dhe falimenti do të përfshijë edhe fabrikat e mëdha të blojës. Bloja, fabrika nën zotërimin e zotit Haxhiymeri vitin që shkoi pa rënie të xhiros vjetore me 61%.
Edhe operatori tjetër i madh i tregut, Miell Tirana, vitin e kaluar e mbylli bilancin me rënie të shitjeve 12%, teksa aktiviteti është përfshirë në një trend rënës së paku katër vitet e fundit. Administratori i Miell Tirana, Roland Hysi, tha se industria e blojës, si asnjëherë tjetër, është përfshirë nga një konkurrencë e pandershme e importeve që së pari janë një rrezik për konsumatorin. Zoti Hysi tha se aktiviteti i tij është vënë në vështirësi, duke lajmëruar se, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, ai mund ta zhvendosë aktivitetin në fushën e importit.
Në të njëjtën situatë është përfshirë edhe fabrika tjetër e përpunimit të miellit Atlas, e cila për të njëjtat arsye është futur në cikël rënës. Të ardhurat nga shitjet e Atlas pësuan rënie vjetore me 23% më 2016, sipas të dhënave nga bilanci të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Dimitrios Thomoglou, një nga aksionerët kryesorë të Atlas dhe njëkohësisht administrator i saj, pohoi pak kohë më parë se importet e miellit pa standard nga Kosova kanë bërë që fabrika e tij të punojë vetëm me 40% të kapacitetit.
Nga ana tjetër, qeveria është përfshirë në një proces të thellë ristrukturimi dhe mbrojtja e interesave të industrisë së blojës duket se nuk do të jetë prioriteti i parë. Më herët, Ministria e Bujqësisë dhe Dogana kanë refuzuar të japin të dhëna rreth mungesës së standardeve të miellit që vjen nga Serbia.
Adi Haxhiymeri – Bloja
Nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn deri në fund të vitit për të ndaluar konkurrencën e pandershme, situata do të përkeqësohet dhe falimenti do të përfshijë edhe fabrikat e mëdha të blojës. Fabrika nën zotërimin e zotit Haxhiymeri vitin që shkoi pa rënie të xhiros vjetore me 61%."
Roland Hysi – Miell Tirana
Industria e blojës, si asnjëherë tjetër, është përfshirë nga një konkurrencë e pandershme e importeve që së pari janë një rrezik për konsumatorin. Zoti Hysi tha se aktiviteti i tij është vënë në vështirësi, duke lajmëruar se, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, ai mund ta zhvendosë aktivitetin në fushën e importit."
Dimitrios Thomoglou – Atlas
Importet e miellit pa standard nga Kosova kanë bërë që fabrika të punojë vetëm me 40% të kapacitetit. Të ardhurat nga shitjet e Atlas pësuan rënie vjetore me 23% më 2016."
Fabrikat japin alarmin
Nëse nuk i jepet fund konkurrencës së pandershme të miellit nga Kosova, industrialistët shqiptarë do të zhvendosin aktivitetin nga bloja në sektorë të tjera. Fabrika “Bloja” pa përgjysmim të xhiros më 2016 dhe situata, sipas zotit Haxhiymeri, i cili e drejton atë, është përkeqësuar më tej gjatë këtij nga viti. Nga 3.7 miliardë që ishin shitjet e fabrikës së blojës në 2015, ato ranë në 1.4 miliardë lekë më 2016 dhe ky vit pritet të mbyllet edhe më keq. Haxhiymeri po mendon seriozisht që të zhvendoset në aktivitete të tjera, madje edhe jashtë vendit, për shkak se rentabiliteti në industrinë përpunuese ka rënë ndjeshëm. Fakti që ka rreth 200 të punësuar në fabrikë e ka bërë të ndjeshëm atë të vijojë aktivitetin edhe në kushte të vështira.
Shitjet kanë rënë me ritme dyshifrore edhe për fabrikën e Atlas. Nga 1.4 miliardë lekë që ishin shitjet më 2015 ato panë një rënie me 24% në vitin 2016, duke bërë që Atlas të mos xhironte më shumë se 1 miliard lekë. Zoti Thomoglu ka pohuar më parë se aktiviteti është tkurrur ndjeshëm për shkak të importeve më të lira në tregun vendas. Aksionerët e saj kanë investuar 21 milionë euro në teknologji bashkëkohore për të prodhuar rreth 300 tonë miell në ditë, por po shfrytëzohet vetëm një e treta e kapacitetit. Dimitrios Thomoglou, aktualisht administrator, por edhe një nga aksionerët kryesorë të fabrikës, tha se investimi jo vetëm që nuk justifikon vetveten, por ndërmarrja po subvencionohet nga fitimet e aktiviteteve të tjera.
Fabrika tjetër e përpunimit, Miell Tirana, gjithashtu ka shënuar ulje të aktivitetit.
Në vitin 2016, xhiroja vjetore e saj ishte 1.8 miliardë lekë, me një rënie 12% në krahasim me 2015. Administratori i saj, Roland Hysi, konfirmoi se situata është rënduar dy vitet e fundit nga konkurrenca e miellit jo cilësor nga Serbia dhe Kosova. “Jam munduar t’i bëj ballë konkurrencës duke e mbajtur të lartë cilësinë. Por rënia e fuqisë blerëse dhe konsumit po çon trendin e blerjes drejt çmimeve më të lira pa marrë në konsideratë sigurinë ushqimore”, – tha Hysi. Ai lajmëroi se nëse situata nuk ndryshon do të marrë në konsideratë zhvendosjen e aktivitetit duke shkuar nga prodhimi në import.
Por teksa fabrikat e mëdha po e përballojnë situatën e rëndë për shkak të fuqisë financiare dhe tregut që zotërojnë, për operatorët e vegjël, ajo ka qenë edhe më e rëndë.
Pothuajse në të njëjtën situatë është e gjithë industria e blojës në vend ku shumë operatorë të vegjël kanë dalë nga tregu.
Mielli serb, si po e dominon tregun
Shoqata e industrialistëve të Blojës pohoi se mielli serb, sidomos në vitin 2017, po e ndan tregun përgjysmë me prodhimin shqiptar. “Nga të dhënat tona, importet e miellit nga Serbia, Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur në rreth 100 mijë tonë vitin e fundit, teksa konsumi i miellit në total është rreth 200 mijë tonë. Më parë, në fillim të viteve 2000, importet nga vendet e rajonit ishin në minorancë”, – tha Haxhiymeri. Sipas të dhënave nga Doganat në vitin 2016 mielli i importuar nga Serbia ishte 42 mijë tonë, ndërsa një pjesë tjetër e madhe hyn kontrabandë pretendojnë prodhuesit e miellit. Sipas te dhënave zyrtare nga doganat importet e miellit nga Serbia janë rritur me 43 për qind, në 2016-n. Ndërsa çmimi i importeve nga Serbia ka rënë ndjeshëm duke vënë në diskutim cilësinë e miellit që importohet nga ky vend. Sipas të dhënave të doganave një kilogram miell nga Serbia u importua me 25 cent të dollarit për tonë nga 35 cent për kilogram që ishte çmimi për kilogramë në vitin 2014, po nga ky shtet.
Çmimi për njësi është shumë më i lirë se mielli që importohet nga shtetet e tjera, psh nga Greqia dhe Italia, me rreth 42 cent për kg, sipas të dhënave të sasisë dhe çmimit nga Dogana.
Dominanca në treg e miellit të importit, sipas industrialistëve shqiptarë po vjen për shkak të çmimit më të lirë që ky produkt hyn në tregun shqiptar. Çmimi i lirë, sipas prodhuesve, është krijuar për dy arsye kryesore. Së pari, mungesa e standardit të miellit. Niveli i proteinave në miell është treguesi kryesor për cilësinë e tij. Njësoj si karatët për arin dhe oktavët për naftën. Në Shqipëri, mielli serb që hyn nga Kosova ka standardin 9% të proteinave, teksa mielli për bukë duhet ta ketë 12% nivelin e proteinave, deklaron Haxhiymeri. Mielli me standard 9% zakonisht është i lejueshëm për biskotat, pasi ato gjatë gatimit pasurohen me lëndë të tjera si sheqer dhe yndyrë për të arritur një nivel të pranueshëm ushqimor.
Së dyti, mielli që vjen nga vendet e rajonit kushton më lirë dhe për shkak të politikave të subvencionit që kryesisht Serbia, si prodhuesi më i madh në rajon, aplikon për të gjithë zinxhirin e prodhimit të miellit që nga mbështeta me fonde direkte ndaj prodhuesve deri tek subvencioni i makinerive, pajisjeve dhe laboratorëve për fabrikat.
Industrialistët shqiptarë pohojnë se e gjithë kjo skemë po mbështetet nga qeveria. i gjithë mielli pa standarde nga Kosova vjen i ambalazhuar në thasë “Miell për bukë”, ndërkohë që doganat në asnjë rast nuk e kanë analizuar cilësinë e këtij mielli dhe nuk i kanë penalizuar importuesit se abuzojnë me standardin. Deri sa vjen në Shqipëri, mielli serb kalon një varg me abuzime. Industrialistët shqiptarë pohojnë se kanë prova dhe e kanë zbuluar këtë zinxhir. Serbia aplikon ende një regjim më të lehtësuar tregtie me Kosovën.
Tregtarët e Kossovës, drithërat për kafshët i marrin të përjashtuara nga TVSH. Prandaj një pjesë e madhe e këtij gruri përpunohet dhe përzihet me një cilësi më të lartë në fabrikat e Kosovës dhe pastaj shitet me TVSH në Shqipëri. Pretendimi i industrialistëve shqiptarë vërtetohet me rënien e importeve të grurit. Gjatë tetëmujorit të këtij viti, importi e grurit ra me 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia ka qenë edhe më e madhe gjatë vitit 2016, duke e kthyer tashmë një trend rënës të shpejtë./ Shkrimi i plotë vazhdon në Monitor.
JOQ.al