Video
Mot katastrofik në Greqi/Mbyllen shkollat, shënohet viktima e parë
Mot katastrofik në Greqi/Mbyllen shkollat, shënohet viktima e parëA. Shehaj
Lajme
Greqia është prekur nga një mot katastrofik gjatë orëve të fundit. Reshjet e shumta të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete të rëndësishme të vendit, ndërsa është shënuar edhe viktima e parë.
Bëhet fjalë për një grua, e cila është gjetur e pajetë në qytetin e Mandras, ndërsa stuhia e fortë vijon. Trupi i saj u gjet mëngjesin e sotshëm brenda një shtëpie të përmbytur.
Emergjencat civile raportojnë për shumë shtëpi të mbuluara nga uji si dhe makina që kanë rrëshkitur. Më të prekurit janë qytetet Nea Peramos, Mandra dhe Megara.
Në aksin rrugor Athinë-Korinth qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm në një korsi. Shërbimi zjarrfikës tha se brenda një ore pati 160 thirrje për ndihmë, nga qytetarë që u janë përmbytur banesat apo bizneset dhe kërkohet nxjerrja e ujërave me pompë.
Me vendim të autoriteteve shkollat e zonës do të qëndrojnë mbyllur të mërkurën. Shërbimi meteorologjik atje thotë se moti i keq pritet të vazhdojë deri në fundjavë.
JOQ.al