Connect with us

Nëna me zemër të lënduar

Video

Nëna me zemër të lënduar

Kjo ngjarje zhvillohet mes nënës dhe birit të saj i cili ishte mënjanuar nga rruga e All-llahut. Nëna e tij përpiqet me gjithë forcat e saj për ta bindur djalin e saj të kthehet në rrugë të mbarë e ta bindë që ta falë namazin. Nëna ishte zgjuar për ta falë namazin e sabahut, dhe i afrohet djalit;)

Nëna: Zgjohu more biri i nënës se thërret ezani, çohu fale namazin!

Djali: (duke i bërtitur nënës së tij) Oj, a je çmendur…(e shikon orën) A nuk e sheh se sa është ora? Nuk më le një ditë rahat të fle…(dhe pa i vënë re lotët e nënës së tij, të cilës zemra i ishte bërë copë e thërrime, u kthye në krahun tjetër.)

Nëna: (me lot në sy) Ah more biri i nënës, kthehu në rrugë të mbarë, ah sa shumë ma lëndon zemrën kur ezani thërret e ti nuk ndalesh ta dëgjosh, e të marrësh abdest e ta falësh namazin…t’i lutesh Zotit për mëkatet e tua.

Djali: Hajt moj nënë, se ende i ri jam, nuk po më le të qetë, kur do të plakem atëherë do të falem, sa shumë të rinj ka kështu sikur unë!

Nëna: Oh more biri i nënës, kjo botë është kalimtare e shumë e shkurtë, shumë shpejt kalojnë ditët, javët, muajt e vitet. Ti more bir, bëj ibadet sa je i ri se kur të plakesh nuk do të kesh fuqi, atëherë do të jetë tepër vonë. Ah more bir, kur linde ti të gjitha dyert e diturisë e të dritës ishin të mbyllura më shumë se gjysmë shekulli në errësirë. Edhe unë u linda e u rrita në atë kohë, mirëpo prindërit e mi më mësuan e më udhëzuan në fenë Islame. Zoti i mëshiroftë prindërit e mi e i shpërbleftë me Xhennet. Edhe unë të mësova e të udhëzova aq sa pata mundësi, mirëpo ti kurrë nuk i përsërite e të gjitha i harrove. Sa të lumtur jetonim, na mbronte dhe na ndihmonte All-llahu.

Djali: (I pikuan një dy pika loti duke i kujtuar momentet kur jetonin të lumtur, kur shkonte në xhami, e respektonte nënën dhe bënte gjithmonë punë të mira. I erdhi për ta ngushëlluar veten, dhe padashur psherëtiu) Ohh…

Nëna: (kur e vërejti se djalit të saj iu zbut pak zemra vazhdoi) Por tani kohërat kanë ndryshuar more bir, tani kemi libra, broshura të ndryshme në bibliotekë, në xhami, në rrugë, ngado që të shkojmë, mirëpo ti kurrë nuk merr t’i lexosh. Ah kjo shoqëri e keqe dhe e fëlliqur…

Djali: (mendonte e mendonte, tani nëna e tij po ia rikujtonte ditët e mallkuara kur ishte bashkuar me atë shoqëri të keqe e të fëlliqur, ku ata i udhëzonte shejtani i mallkuar, e fajësonte veten për këtë, filloi t’i vijë turp nga vetvetja për punët e këqija që i kishte bërë.)

Nëna: Ah kjo kohë e shëmtuar dhe e çoroditur, që na erdhi e na gjeti të papërgatitur…(nëna u ndal një çast, mori frymë thellë dhe vazhdoi) Ah more bir, për këtë kohë që ka ardhur, hazreti Muhamedi ka thënë se do të vijë, e ja na erdhi, ne sot po e përjetojmë këtë kohë të fëlliqur e të shëmtuar.

Ai ka thënë se do të vijnë edhe shenjat e kijametit, e ja edhe ato kanë ardhëur, e ne sot po i shohim me sytë tanë, e prapë nuk po na mbushet mendja. Uragane, cuname, vërshime, tërmete, vullkane, luftëra…

Këto janë të gjitha shenjat e kijametit, një ditë do të krisë edhe kijameti mos harro, pastaj do të vijë dita e gjykimit, dita e llogarisë, dita e drejtësisë, dita e trishtimit dhe e frikës, ah kur e kujtoj se si do të dalim para All-llahut. Sa turp i madh do të jetë kur atë ditë do t’i lexojmë mëkatet me gojët tona, e pastaj do të heshtim…duart e këmbët tona do të flasin. More bir, mos e lejo veten të turpërohesh para Zotit xh.sh…

Djali: (djali kur dëgjonte nënën e tij i dridhej trupi, ethet i shtoheshin hiç pa nda…)

Nëna: Ditën e gjykimit kjo botë sa e shëmtuar ka me dalë, të gjithë do të pyesin se kush është kjo, e ajo do t’u tregojë se është bota dhe se është e pafajshme se edhe atëherë kur keni jetuar ka qenë kështu e tillë por shejtani e hijeshoi dhe ju u mashtruat. Dhe të gjithë do të jemi para Zotit të tubuar e do të presim dënimin e merituar.

Djali: (djali i hutuar qëndronte në krevat i shtrirë, ndërsa nëna e vet me lot në sy u mundonte që ta bindte djalin e saj.)

Nëna: (me lot në sy e me një zë lutës vazhdoi) Kthehu more biri i nënës, se ende ka kohë që të pendohesh, e jo kur të mplakesh se atëherë do të bëhesh i paaftë e të gjitha dyert do të mbyllen, vetëm një do të jetë e hapur, e ajo është dera e xhamisë. Ajo kurrë nuk mbyllet, gjithmonë na thërret, e ti atëherë do të shkosh në xhami, mirëpo nuk do të dish se ku të ulesh, të ulesh në fund aty janë fëmijët, të ulesh në mes aty janë të rinjtë, të ulesh në fillim aty janë ulemat që gjithmonë të kanë thirrë për në rrugë të mbarë.

E ti atëherë do të ulesh te fëmijët, e kur do të ulesh aty do të kujtohet kur ishe i vogël e nëna të mësoi e të udhëzoi, e ti kurrë nuk i përsërite e të gjitha i harrove. E atëherë do t’i lutesh Zotit: “O Zot, mi fal mëkatet e mia se vetëm Ti je ai që m’i fal!” Nëse do Zoti të falë e të çon në Xhennet, mirëpo ti do të mbesësh te dera e Xhennetit, sa dëshpërim i madh do të jetë kur të tjerët shëtisin nëpër Xhennete të larta e ti do të mbesësh tek dera përgjithmonë. O biri i nënës, po në këtë botë të gjithë duan të arrijnë sa më lartë, po pse nuk punon në këtë botë që të arrish në Xhennet më lartë, se atje do të jesh përgjithmonë. Oh, oh, mjerë për ty o biri im nëse All-llahu nuk t’i fal mëkatet, oh…(në këtë moment nënës i filluan dhimbje të papërshkrueshme në shpirtin e saj prej nëne, oh po ç’të bënte e shkreta, i dhimbsej evladi i vet, mori frymë edhe njëherë thellë dhe vazhdoi) Nëse Zoti nuk t’i fal mëkatet, atëherë të pret zjarri i Xhehenemit. Jo, jo more biri i nënës, kurrë nuk dëshiroj që të jetë kështu, e di se edhe ti nuk do kështu, po shpresoj se një ditë do të kthehesh në rrugë të mbarë e do ta falësh namazin, e do të shkosh në xhami e do të ulesh në mesin e xhamisë te shokët e tu, e do t’i lutesh Zotit për mëkatet tua, kurse unë sa të jem gjallë do të lutem për ty. (nëna e shkretë filloi me zë të qajë.)

Djali: (djali nuk u përmbajt më, iu hodh nënës në qafë dhe i ngriti duart kah All-llahu) O Zoti im, o Zoti i qiejve dhe i tokës, o Zot i Arshit të Madh, falmi mëkatet se vetëm Ti je ai që fal dhe ki mëshirë ndaj meje…

Nëna: (sikur nuk u besonte veshëve kur e dëgjoi djalin e saj) O Zot sa kënaqësi! (Edhe nëna i çoi duart drejt All-llahut, me lot në sy dhe nuk mund ta përmbante gëzimin) FALËNDERIMI I TAKON ALL-LLAHUT, ZOTIT TË GJITHËSISË! (Dhe e shtrëngoi djalin e vet në gjoksin e saj).

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Video

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top