Video
Prindërit tmerrohen nga tekstet shkollore të fëmijëve, dy shembujt që po i çudisin të gjithë
Prindërit tmerrohen nga tekstet shkollore të fëmijëve, dy shembujt që po i çudisin të gjithëD. Cani
Lajme
Tregim humoristik thuhet pas titullit: “Ah këto vajzat”, që fëmijët e klasës së pestë në vendin tonë duhet të lexojnë e mësojnë.
Si e përjetojnë fëmijët është vështirë të thuhet, megjithatë një tekst i tillë prindërit nuk i bën fare për të qeshur.
Shumë prej tyre me siguri do të jenë më të lumtur, nëse fëmija i tyre do jetë dobët në mësim, se sa të vlerësohet me nota të mira rreth një teksti që vështirë t’i përcaktohet vlera edukuese.
Më poshtë do mund të lexoni tekstin e publikuar në Facebook nga një prind, i cili evidenton vështirësitë e vazhdueshme që has në librat e fëmijëve.
Nuk janë të pakta rastet, kur prindërit shqiptarë janë shokuar nga shkrimet në librat e fëmijëve të tyre.
Ah këto vajzat (tregim humoristik)
Grioleti nuk i honeps fare vajzat. Ja ç’mendon ai për to. Ato s’dinë të zihen me grushte. S’dinë të gjuajnë me gurë. S’dinë të rrëshqasin; edhe kur marrin vrull, në vend që të hidhen sa më larg, bëjnë një kërcim të vogël.
Kanë frikë nga gjithçka: nga vetëtimat, nga greminat, nga vemjet, nga thithëlopat, nga errësira. Kur bien bubullimat, zënë veshët me duar. Pale që ia japin vrapit e shkojnë të fshihen nën krevat. Gjëmimi i një topi i shashtis fare…
S’kanë pikë forcë. Sikur kanë lëng rrepkash brenda në vena. S’kanë fare fuqi, vetëm të lodhen dinë. Kurr nuk duan të rrezikojnë veten për ndonjë gjë; s’i sheh ndonjëherë të kacavirren degëve të pemëve, ta kaptojnë kanalin mbi një dërrasë, të depërtojnë brenda ndonjë shpelle të nëndheshme. I ruhen shumë rrezikut. Një e dy, veç të klithin dinë.
Po kur të gërricin! Sa për t’iu besuar ndonjë të fshehtë, as most ë të shkojë mendja. S’kalon një orë dhe tërë dynjaja e merr vesh. Është e kotë, s’dinë ta ruajnë fare të fshehtën.
Asgjë, as guxim, as forcë, as trimëri nuk kanë. Edhe kur zihen me shoqeshpqen, në vend që të sqarohen ose t’u japin fund llafeve me ca shpulla ose grushte, sikurse ne, i rrinë njëra-tjetrës gjithë hundë e buzë. E mund të vazhdojnë kështu ditë të tëra, javë, muaj, pa shkëmbyer qoftë edhe një fjalë.
Për gjënë më të vogël ia japin të qarit: për një zog, për një ndodhi, për një cope tel. S’kanë turp të qajnë. Lotët s’i kanë për gjë, as që u vjen zor nga vetja. Madje ndonjëherë duan edhe bëjnë. Të duken të lënduara thellë në shpirt, të vjen keq për to, vete t’u thuash një fjalë të mirë e ato në çast të nxjerrin gjuhën.
Janë tërë naze, tërë lajka…Ecin duke u tundur, zihen për beli e puthen çup e çup me shoqeshoqen. Në klasë, veç kur i sheh të ngrenë gishtin e vogël.
Kopjojnë poezi në fletore të veçanta. Hedhin mbi flokë kolonjë, krijojnë varëse me fara molle. Ç’nuk sajojnë hajt t’i marrësh vesh!…Natën, kur ka hënë, rrinë dhee kundrojnë, pa thënë një fjalë. Ose thonë: “O Zot, sa e bukur që është!”
Po, me thënë të drejtën, ajo që nuk u rri kurrë e qetë, është gjuha. U dashka që gjuha t’u lëvizë gjithë kohën. Përherë duke u fjalosur: kur kthehen nga shkolla, kur janë në grup, kur janë dyshe, kur janë vetëm fare, para pasqyrës, kur tunden e shkunden, kur janë në klasë, në pushimet e vogla, kur janë në rrugë, në krevat dhe duke ndenjur. Unë për vete, s’i kam qejf hiç vajzat!
JOQ.al