Kuriozitete
Turistët ‘boshatisin’ Venecian
Emocionet janë të shumta në Venecia, qytetin e famshëm italian që mahnit vizitorë nga e gjithë bota. Venecia njihet ende si “La serenissima”, më e qeta dhe dikur ishte vendi ku popullata lokale bashkëjetonte në mrekulli me vizitorët që më së shumti ishin intelektualë, shkrimtarë dhe artistë.
Por, tani, është e vështirë të imagjinohet ajo bashkëekzistencë e lumtur kur endesh përmes kanaleve të mbifrekuentuara dhe bisedon me banorë lokalë.
Depopullarimi dhe turizmi masiv janë prej kohësh shkaqe të një dëshpërimi të banorëve lokalë. Por, këtë verë duket se po arrihet kulmi. Rreth 2 mijë venecianë marshuan ditë më parë kundër industrisë së turizmit, që sipas tyre ka shkatërruar cilësinë e tyre të jetës, po dëmton ambientin dhe po dëbon banorë, shkruan Top Channel.
Popullata e Venecias ka rënë nga 175 mijë, pas Luftës së Dytë Botërore, në 55 mijë aktualisht. Kohë më parë, të merrje një varkë për të kaluar përmes kanaleve të qytetit, ishte diçka aspak stresuese, por sot, nuk është më kështu.
Të irrituar nga shkopinjtë që ndihmojnë për të bërë selfie, nga valixhet që i sheh ngado apo njerëzit që hanë përmbi një nga 391 urat e qytetit, pakënaqësia e venecianëve me 28 milionë vizitorëve që vijnë në qytet çdo vit, po arrin nivele alarmante.
Vetë banorët thonë se problemi kryesor është turizmi masiv, njerëz që vijnë në qytet për vetëm disa orë dhe nuk shohin asgjë. Ndërkohë anijet e mëdha turistike që ankorohen në kanalin Giudecca katër apo pesë herë në ditë, përveçse emetojnë sasi të mëdha tymrash, lëshojnë drejt qendrave historike të qytetit deri në 44 mijë vizitorë në ditë.
Me karnavalet e saj, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Bienalen e Artit, Venecia ka një histori të hershme të kultivimit të turizmit dhe industria i sjell asaj miliona euro në arka çdo vit e siguron shumë vende pune. Qyteti tani, duket se nuk mundet më të jetojë me të, por as pa të… /Lajmi.net/