Connect with us

Burgim të përjetshëm për torturimin deri në vdekje të durrsakut, reagimi i Shtrazës në gjykatë i habit të gjithë

Video

Burgim të përjetshëm për torturimin deri në vdekje të durrsakut, reagimi i Shtrazës në gjykatë i habit të gjithë

Burgim të përjetshëm për torturimin deri në vdekje të durrsakut, reagimi i Shtrazës në gjykatë i habit të gjithëF. Tenolli

Lajme

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar burgim të përjetshëm Denis Shtrazën i akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin deri në vdekje të Gazmend Çollakut.

Gjykata i la dy javë kohë avokatëve të Denis Shtrazës për të përgatitur mbrojtjen. Në seancën e 30 nëntorit pritet që të jepet edhe vendimi.

Bashkëpunëtor në këtë krim të janarit 2016 ishte edhe ish-oficeri i policisë Ervin Dalipaj.

Shtraza nuk i ka pranuar në asnjë moment akuzat, pasi ai kishte deklaruar se e njihte Çollakun që në burg dhe kishin marrëdhënie miqësie.

Ai ka qenë i qetë në sallën e gjyqit dhe madje në disa raste edhe ka qeshur teksa prokurori Besnik Muçi lexonte pretencën.

Shtraza u ka kërkuar të mos bënin publik identitetin e plotë të mikeshës së tij, vajzës së quajtur Mirela. Ai kishte qenë në kafe me të ditën e rrëmbimit të Çollakut dhe më pas kishte shkuar dhe kishte qëndruar disa orë në shtëpinë e saj e aty kishte marrë vesh për rrëmbimin.

Gjatë kohës që ishte në kafe me të, Shtraza kishte takuar rastësisht Dalipajn dhe e kishin lënë të bënin një xhiro me makinë kur ai të dilte nga shtëpia e vajzës.

Ajo ka dëshmuar me dyer të mbyllura se Shtraza kishte qenë me të ditën e rrëmbimit.

40-vjeçari Gazmend Çollaku, u mor peng më 6 janar qytetin e Durrësit dhe një ditë më pas është gjetur i vdekur dhe i lidhur me këmbë e duar në afërsi të fshatit Murqin të Krujës, ndërsa shkak për vrasjen dyshohet të jetë bërë prishja e pazareve të drogës.

Viktima ishte qëlluar me armë në kokë dhe fillimisht mendohet se ekzekutimi i tij ka lidhje me vrasjen e dy të rinjve, Ervin Kodra dhe Endri Caushaj, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor, pranë hyrjes së Portit të Durrësit.

Çollaku u mor peng nga persona të veshur me uniforma policie dhe dëshmitarët në vendngjarje menduan se bëhej fjalë për një shoqërim të tij.

DËSHMIA E PLOTË

Që në nisje të rrëfimit të tij nga kafazi i xhamtë i sallës nr.1 të Gjykatës për Krimet e Rënda, i pandehuri Denis Shtraza tha se kishte pasur raporte miqësore me personin për të cilin akuzohet ta ketë rrëmbyer dhe vrarë.

“Gazmend Çollakun e kam njohur në vitin 2008 në burg. Në atë kohë unë vuaja një dënim për ‘mbajtje pa leje të armëve dhe municioni’, ndërsa ai vuante një dënim për “plagosje”. Ishim në të njëjtin sektor. Gjatë kësaj kohe kam pasur marrëdhënie të mira me të, si dy çuna durrsakë. Kemi agjëruar bashkë në burg. Për marrëdhënien time miqësore me Çollakun kanë pasur dijeni edhe persona të tjerë”, tha Shtraza.

Sipas tij, ky raport miqësor ka vijuar edhe pas përfundimit të dënimit me burg. “Pasi kam dalë nga burgu dhe ai vazhdonte të ishte i dënuar, unë i kam çuar cigare në burg Gaz Çollakut. Kur ai përfundoi dënimin, ne jemi takuar disa herë dhe kemi pirë kafe bashkë. Unë njihja dhe të fejuarën dhe familjarët e tij, pasi jetonim në të njëjtën lagje në Durrës”, u shpreh ai.

I pandehuri rrëfeu se në vitin 2013 kishte rënë pre e një sulmi të armatosur, ku ishte plagosur, duke theksuar se për të kjo ishte një histori e mbyllur. “Mua më kanë plagosur në vitin 2013. Kam qenë në kafe dhe më kanë qëlluar me pistoletë. Unë për këtë ngjarje nuk kam akuzuar, apo fajësuar ndonjëherë Gazmend Çollakun. Ata që më kanë plagosur janë dënuar nga drejtësia”, tregoi Shtraza.

I pyetur nga prokurori për emrat e tyre, i pandehuri tha se emrat e autorëve mund t’i gjente në vendimin e gjykatës që i shpalli fajtorë.

DITA E NGJARJES

Më përgjigje të pyetjeve të prokurorit, Denis Shtraza tha se rrëmbimin e Gazmend Çollakut e kishte mësuar në Tiranë, përmes lajmeve në televizion. Në vijim, i pandehuri rrëfeu me detaje lëvizjet e tij të datës 6 janar, ditë kur ndodhi rrëmbimi i Çollakut në Durrës.

“Nuk e kujtoj saktësisht datën, por jam zgjuar rreth orës 11:00. Kam dalë nga shtëpia dhe jam qethur dhe më pas piva kafe me disa shokë të mi. U thashë atyre që do të shkoja në Tiranë, për punë të miat. Udhëtimin nga Durrësi në Tiranë e kam bërë me një furgon. Duhet të ketë qenë ora 15:30 apo 16:00 kur mbërrita. Shkova te një lokal pranë kryqëzimit të ’21 Dhjetorit’, ku takova një shoqen time”, dëshmoi Shtraza.

I pyetur për identitetin e shoqes së tij, Shtraza fillimisht refuzoi ta tregonte. Më pas ai pranoi të thotë vetëm emrin e saj, Marsela, por jo mbiemrin.

“Nuk mund ta tregoj, se kam frikë se pëson gjë dhe ajo si Ervin Dalipaj”, tha ai. Në këtë moment, ndërhyri avokati Alban Qafa, i cili i tha gjykatës se klienti i tij nuk mund t’i përgjigjej pyetjes.

“Vajza që përmendi i mbrojturi prej nesh është dëshmitare në këtë proces dhe është pranuar si e tillë nga gjykata. Prokurori e ka në dosje identitetin e saj të plotë. Çështja është shumë sensitive. Këtij vëllai i iku për azil, një familjar e ka me plumb në trup, ai tjetri u vra. Mos e çojnë situatën deri këtu”, tha avokati Alban Qafa.

ALIBIA

Sipas të pandehurit Shtraza, ndërkohë që ishte në lokalin pranë “21 Dhjetorit” me shoqen e tij, ka takuar rastësish shokun e tij Ervin Dalipaj. “Ishte një takim rastësor. Edhe ai u habit që më pa aty. Ai ishte me disa shokë, që nuk i njihja. Jemi përshëndetur. Më pyeti se përse kisha ardhur në Tiranë. I thashë që do të takoja një shoqe. Kur më pyeti sa gjatë do të qëndroja, i thashë rreth 2 orë. Mirë, më tha, kur të mbarosh takohemi prapë këtu”, tregoi Shtraza.

Ai vijoi se pas këtij takimi, ka shkuar në shtëpinë e shoqes së tij, e cila ndodhej 5 minuta larg në këmbë nga lokali në fjalë. “Kam qëndruar 2-3 orë në këtë shtëpi dhe gjatë kohës që isha aty, kam parë në televizor se ishte rrëmbyer Gazmendi. Duhet të ketë qenë ora rreth 7:00-7:30 e pasdites”, tha ai.

Shtraza sqaroi në vijim se kishte dalë vetëm nga shtë- pia e shoqes së tij dhe se kishte shkuar te lokali ku kishte lënë të takohej me Ervin Dalipajn. I pyetur se ku e kishte njohur Dalipajn, Shtraza tha se ishin njohur në Durrës, në zonën e Plazhit, ku ai kishte pasur një plazh privat. “Dalipaj vinte shpesh me familjen dhe aty jemi njohur”.

ARRESTIMI

Shtraza pohoi para gjykatës se kur ishte ritakuar me Dalipajn kishin qëndruar dhe pak te lokali dhe më pas kishin bërë disa xhiro me automjetin e Dalipajt rreth së njëjtës zonë. “Ai më tha që do të më çonte në Durrës, pasi binte shumë shi dhe nuk po shikonim më furgonë të linjës Tiranë-Durrës.

Mjeti ishte një ‘Mercedes-Benz’ fuoristradë. Ecëm ngadalë për në Durrës, pasi kishte shumë shi. Gati 100 metra para se të mbërrinim te shtëpia, në një rrugicë të ngushtë na ka ndaluar një patrullë policie. Na morën kartat e identitetit dhe na thanë që të vinim me ta në Drejtorinë e Policisë së Durrësit për verifikim. Atje u pyetëm në lidhje me këtë ngjarje, por ata policët kanë shkruar disa gjëra gabim”, tha i pandehuri.

Sipas tij, vrasjen e Gazmend Çollakut e kishte mësuar të nesërmen e asaj mbrëmjeje, teksa ishte në ambientet e policisë. Shtraza tha se kishte qenë prezent gjatë kontrollit në mjetin e Dalipajt. I pyetur për disa telefona që u gjetën aty, Shtraza tha se ai vetë nuk përdorte telefon.

JOQ.al

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Video

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top