Connect with us

“Zogu I”/ Bulevardi i prostitucionit shqiptar, me 3 mijë lekë “mbaron punë” në makinë

Video

“Zogu I”/ Bulevardi i prostitucionit shqiptar, me 3 mijë lekë “mbaron punë” në makinë

Shumëkush që mbrëmja e zë pranë sheshit “Skënderbej”, këto ditë ka parë se si çdo natë mblidhen “goca pune”. Shumica janë meshkuj të shndërruar në femra. Shesin trupin për klientë shqiptarë dhe të huaj, me “tarifa” që nisin nga 3 mijë lekë në makinë dhe 2 mijë më shumë në shtëpi. Rrëfimi i Serenës dhe prostitutave të tjera që kanë mbushur bulevardin deri te ministria e Drejtësisë. Kërkesat e shumta për seks me pagesë, sidomos nga emigrantët. Dhe pse kanë nisur edhe çiftet të shkojnë me tranvestitët shqiptarë.

Teksa ka rënë mbrëmja, shtatorja e monumentit të Skënderbeut, me pallë në dorë, hipur mbi kalë, fillon të zhytet në errësirë. Vetëm piedestali i gurtë, i ndriçuar, shkëlqen nga larg. Nga ana tjetër e bulevardit që mban emrin e tij, edhe busti i mbretit Zog, edhe ky me shpatë në dorë, nxin në distancë.

Pikërisht në atë hapësirë, nga cepi i Ministrisë së Drejtësisë deri tek redaksia e “Zërit të Popullit”, shfaqen “ato”. Rreth orës 23.30 vijnë njëra pas tjetrës si ilegalët, të përpikta si jeshilja e semaforit dhe mblidhen në atë trotuar të ngushtë, të zhytur në gjysmerrësirë dhe të ndriçuar hera-herës nga dritat e makinave.

Përballë tyre, shkallët e Ministrisë së Drejtësisë, me një kandar të madh të ngjitur në fasadë. Në zyrat ku paradite jepte urdhra ministri teknik, tashmë nuk ka asnjë dritë. Asnjë korridor i ndriçuar, madje asnjë roje që të kujdeset për godinën ku ka selinë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Trotuari i ngushtë në mes të bulevardit, i shndërruar në një tunel të gjelbër nga ndërthurja e kurorave të pemëve, duket se të mban të fshehur vetëm nga Qielli, por jo nga toka.

“Vajzat” e veshura me funde e fustane të shkurtër, me shalët e mbuluara nga rrjeta të zeza apo çorape najloni të bardha, herë mblidhen të gjashta në grup e herë shkëputen nga njëra-tjetra duke ecur ngadalë mbi takat e larta për të ndjellë syrin mashkullor. Në qetësinë që mbizotëron mes kalimit të një makine dhe tjetrës, mund të dëgjosh copëza bisedash me zë të lartë.

Serena është njëra prej tyre. Kur më kërkon një cigare, dalloj se zëri i saj nuk është as si i një femre dhe as si i një mashkulli. Diçka e ndërmjetme. “Formalisht jam mashkull, por brenda jam femër”, thotë ajo. Në atë moment kuptoj se është një tranvestit dhe se flokët e gjatë e të verdhë në të vërtetë janë paruke.

“Ajo” tregon se ka ardhur pak muaj më parë nga Peshkopia dhe ka marrë një apartament me qera në kryeqytet. Nuk tregon se ku, por thotë se është këtu pranë. Në qendër, atje ku çmimet janë padyshim të kripura.

E pyes se si ia del me shpenzimet dhe sa fiton në natë. “Varet nga nata, thotë. Ka raste që nuk del asnjë lek, por ka raste që arrij në 300 mijë lekë të vjetra. Është shtuar puna”. Kur e pyes për çmimin thotë se merr 30 mijë lekë të vjetra për seks në makinë dhe 50 mijë për të shkuar një orë në apartamentin e saj apo në hotel.

Ndërsa bisedon me mua, dëgjohet një bori makine. Serena shkëputet dhe shkon tek dritarja e automjetit, brenda të cilit dallohet një burrë dhe një grua, rreth të tridhjetave. “Janë klientë të mi, më thotë kur kthehet. Tani kanë filluar të më kërkojnë edhe çifte, sidomos ata që vijnë me pushime nga emigracioni, se janë më të hapur në mentalitet. Madje, ka edhe femra që paguajnë për të kaluar natën me mua”.

Në rrugë kalon një makinë policie me sirenë të ndezur. Në timon është një polic i ri që as e kthen kokën të shohë dhe në vendin e pasagjerit një vajzë me uniformë e përqendruar në celular.

Pak më vonë kalon një makinë e policisë bashkiake dhe më vonë akoma dy motorë. Në secilin prej tyre kishin hipur dy policë të “Shqiponjave”. As ata nuk e kthyen kokën.

E pyes Serenën se kur ka filluar të ndjehet femër dhe ajo thotë e qetë: “Që në klasën e gjashtë, atëherë kur kam bërë seks për herë të parë. Ai djali ishte në klasën e shtatë”. Disa vite më vonë ka ndryshuar edhe emrin. “E vura vetë këtë emër, kur pashë një fil vizatimor. Edhe unë e kam trupin si ajo sirena në film”, thotë.

Ndërsa bisedojmë, afrohen dy “vajza” të tjera. “Më jep edhe mua një cigare, thotë njëra prej tyre, se jam shtatzënë dhe mos dështoj”. Dhe qesh. Ndërsa i ndez cigaren, kalon një makinë që i bie borisë. Një djalë i fut një të sharë dhe vazhdon, pa ulur shpejtësinë. Tranvestiti i kthen përgjigje, me një të sharë edhe më të rëndë, ndërsa thith cigaren, pastaj më falënderon duke buzëqeshur dhe bashkohet me “shoqen” në xhiron prej ca dhjetëra metrash.

Në dy orë e pak, në atë copëz bulevardi ndaluan dhjetëra makina. Kryesisht me targa shqiptare, italiane, zvicerane, gjermane e angleze. Herë pas here, njëra nga “vajzat” zhdukej brenda ndonjë makine dhe kthehej ca më vonë duke rregulluar flokët dhe duke ngritur getat. Në raste të tjera bisedat duket se ishin vetëm “informative”, ndërsa në shumë raste të tjera përfundonin më të shara nga të dyja palët. Çështje çmimi? Jo vetëm.

Në trotuarin përballë vura re të njëjtin person që shkonte e vinte. Afrohet dhe diçka mërmërit nëpër dhëmbë. “Më fole gjë?” e pyes. “Po të thosha se më duhet të pres deri në katër të mëngjesit autobusin, se do të nisem për në Greqi. Ta marrë djalli, qenkan vetëm meshkuj. Do ta kisha marrë ndonjërën për ndonjë orë, po të ishin femra, por me këta…”

Tund kokën dhe ikën.

Ora sapo ka kaluar 2 e mëngjesit. Kush ka punuar, ka punuar. Njëra prej të gjashtave ka ikur me kohë, duke përshëndetur “natën, vajza”. Tranvestitët nisin të ndahen duke u puthur në faqe dhe secila merr drejtimin e shtëpisë. Dy prej tyre morën rrugën drejt sheshit të Skënderbeut. Dy të tjera ikën drejt monumentit të Zogut. Ndërsa Serena, e vetme, kalon këndej nga Drejtësia ka varur në mur kandarin.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Video

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top